Argumenti i parë:
Ndër argumentet të cilat shpijnë drejt njësisë, pushtetit dhe fuqisë së Krijuesit është edhe ai që Tokën e bëri të përshtatshme (për jetë).
Ibn Kajjimi rahimehullah ka thënë:
“Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Ai jua bëri tokën të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja”. (el-Mulk, 15)
Allahu na tregoi se Tokën e bëri të përshtatshme dhe të përgatitur për jetë të qetë dhe stabile. Na lajmëroi se Tokën e bëri shtrat dhe vend të shtrirë. I vendosi kodrat si shtylla me ndihmën e të cilave e përforcoi atë që të mos i trondisë banorët në të. Po ashtu edhe shiun e mban në Tokë dhe bëri që përmes çarjes së tokës të ujitet ajo, të ujiten farërat, e më pas të mbijnë dhe të rriten në sipërfaqen e saj. Nga ajo (toka) mbijnë lloje të ndryshme drithërash, begati të ndryshme në llojin e ushqimit për njerëz dhe kafshë në këtë botë, deri në Ditën e Gjykimit.
Begatia e saj është edhe ajo që mbi supet e saj mban fatkeqësi të ndryshme të cilat i shkakton njeriu, dhe njëkohësisht prej saj mbijnë begati të panumërta edhe pranë asaj që është e mbuluar me turpet e njerëzve. Pra, a ekziston argument më i madh për ata që kanë logjikë dhe mendojnë?!
Argumenti i dytë: Ringjallja e njerëzve pas vdekjes së tyre
“Si e mohoni Allahun, kur dihet se ju ishit të vdekur e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall përsëri, e mandej tek Ai do të ktheheni”? (el-Bekare, 28)
Ky ajet shërben si argument i pamposhtur se besimi në Allahun është i lindur në instinktin dhe në mendjen e njeriut, dhe absolutisht askush nuk mund të ketë arsyetim për mosbesimin (kufrin) e tij. Allahu i Lartmadhëruar ka përmendur katër etapa, tre prej tyre lëvizin në këtë botë, ndërsa e katërta mbetet premtim i vërtetë i cili do të përmbushet. Para se të na krijojë, kemi qenë tokë e vdekur, e më pas na krijoi dhe na bëri të gjallë, që do të thotë jetë. Më pas do të na bëjë të vdekur, që t’i kthehemi Atij në varre, gjë që paraqet vdekje të dytë. Më pas përsëri do të na ringjallë në Ditën e Gjykimit, që paraqet jetë të dytë. Ç’është me njeriun që ka mend?! Dëshmoi për tre etapat e para, ndërsa në të katërtën nuk beson. Vallë, etapa e katërt a nuk është nga etapat e krijimit? Çfarë mund ta pengojë Atë - i Cili ju ngjalli pasi ishit të vdekur, e më pas iu bëri të vdekur pasi ishit të gjallë - që përsëri t’ju ringjallë pas vdekjes suaj? A i dedikohet ky refuzim, refuzimit të ekzistimit të Tij? Si mund të refuzoni diçka për të cilën jeni bindur se është e vërtetë?
Këto janë ajetet të cilat tregojnë për Njësinë e Allahut dhe për atributet e Tij të përsosura.
Këto janë ajetet të cilat tregojnë për Njësinë e Allahut dhe për atributet e Tij të përsosura.
Argumenti i tretë: Krijimi i njeriut
Ibn Kajjimi rahimehullah ka thënë: “Krijimi i njeriut është një nga argumentet më të mëdha të cilat na orientojnë që të logjikojmë për ekzistimin e Allahut. Argumentet janë këto: “Le të shikojë njeriu se nga çfarë është krijuar?!” (et-Tarik, 5)
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “O njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë (mendoni krijimin tuaj që) Ne u krijuam juve nga dheu, pastaj nga uji, pastaj nga një gjak i ngjizur, pastaj nga diçka sa një kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar, në mënyrë që t'ju sqarojmë. Ndërsa atë që dëshirojmë Ne, e përqëndrojmë në mitër deri në një afat të caktuar, e mandej u nxjerrim foshnje që të arrini pjekurinë tuaj. Dikush prej jush vdes herët, e dikush jeton deri në pleqëri të thellë, në mënyrë që të mos dijë asgjë nga dija që ka pasur. E ti e sheh tokën e tharë - të vdekur, e kur Ne i lëshojmë asaj ujin ajo gjallërohet, shtohet, dhe nga të gjitha llojet rritë bimë të këndshme”. (el-Haxhxh, 5)
“A mos mendoni njeriu se do të lihet pa asnjë përgjegjësi? A nuk ka qenë ai një pikë uji që derdhet? E pastaj u bë gjak i trashë, e Ai e krijoi dhe e përsosi? Dhe prej tij Ai bëri dy lloje: mashkullin dhe femrën. A nuk është Ai (Zot) i fuqishëm që i ngjall të vdekurit”? (el-Kijame, 36-40)
“A nuk u kemi krijuar juve nga një lëng i dobët? Dhe atë e vendosëm në një vend të sigurt. Deri në një kohë të caktuar. Dhe Ne bëmë përcaktimin e krijimit. Sa përcaktues të mirë jemi”! (el-Murselat, 20-23)
“A nuk mendon njeriu se Ne e krijuam atë prej një pikë uji (farë), dhe ai u bë kundërshtar i rreptë?!” (Ja-Sin, 12-14)
“Për Allahun, Ne e krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajkë - baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, dhe eshtrat i veshëm me mish, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri Krijues!” (el-Mu’minun, 12-14)
Argument janë edhe shumë ajete të tjera të cilët e nxisin njeriun që të mendojë për fillimin e krijimit të tij, të jetës dhe vdekjes. Vetë krijimi dhe të ekzistuarit e tij (si njeri) është një nga shenjat më të mëdha të Allahut. Vetëm nëse do të kishe menduar me seriozitet rreth vetes, përmes habisë tënde do të ishe larguar nga kufri (mosbesimi).
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Qoftë i mallkuar njeriu, sa mohues i fortë është ai! Po si e krijoi Ai atë? Atë e krijoi nga një pikë uji dhe e përgatiti. Pastaj atij ia lehtësoi rrugën. Mandej atë e bëri të vdesë dhe atij i bëri varr (të varroset). Pastaj, kur të dojë Ai e ringjallë atë.” (Abese, 17-22)
“Allahu i Lartmadhëruar i përmend shumë herë periudhat e formimit të njeriut nga pika e ujit vetëm që të na njohë me atë, por atë e bën edhe për shkak të një qëllimi tjetër të rëndësishëm. Shiko dhe mendo se nga çfarë është krijuar njeriu: nga një pikë e dobët uji për të cilën nevojiten vetëm disa momente që të prishet; shih se si del nga boshti i kurrizit dhe arrin në vendin e sigurt, dhe se si e bashkon mashkullin dhe femrën përmes dashurisë dhe ëndjes si shkak i lindjes së fëmijës.
Shiko se si nga embrioni bëhen eshtrat, edhe nervat, edhe enët e gjakut dhe se si eshtrat mbështillen me mish, dhe si bëhen vrimat për të dëgjuar, për të parë, si fillon krijimi i hundës, gojës, gishtat dhe thonjtë, si dhe organet e tjera të brendshme, dhe çdonjëra prej tyre me detyrën e vet të përcaktuar.
Dhe shiko se si dallohen eshtrat ndërmjet vete sipas obligimeve dhe se si harmonizohen me njëra-tjetrën. Po ashtu shiko se si janë përforcuar nyjet me muskuj dhe me damarë, të cilat i mundësojnë njeriut që t’a lëvizë pjesët e trupit që dëshiron.
Dhe shihe kokën dhe veshët në të, si dhe pozitën e saj mbi trup, në mënyrë që t’a mbikëqyrë trupin dhe t’a udhëheqë atë; edhe syrin prej shtatë shtresash, që t’a mbrojnë bebëzën e tij përmes së cilës e shikon botën si mbreti i rrethuar me roje, e pastaj shihi edhe kapakët e syve, e më pas shihi edhe qerpikët.
Dhe shihe veshin në formën më të mirë dhe më të përshtatshme për detyrën e vet, në formë të guacës, që t’i pranojë zërat dhe t’i mbartë ato në brendinë e tij (veshit), aty ku zvogëlohet fortësia e tyre (zërave) derisa të arrijnë te qelizat dëgjuese.
Dhe shiko se si e ka bërë lëngun e veshit të hidhur me qëllim që insektet të mos futen në të, dhe shiko se si e ka bërë ujin e syve të njelmët me qëllim që t’a mbrojë atë nga gjakderdhja; dhe si e ka bërë ujin e gojës të ëmbël që të mund t’i dallojë shijet e çdo lloj gjelle.
Dhe shikoje hundën në formën dhe në pozitën më të bukur. Janë dy veshë dhe dy sy në harmoni me një hundë e cila përbëhet nga dy vrima dhe ndërmjet tyre është një mjet ndarës. Aty është vendosur shqisa e të nuhaturit dhe me to thith ajrin e nevojshëm për mushkëritë.
Shihe gojën e cila gjendet në pozitën më të përshtatshme në raport me shqisën e të shijuarit dhe në raport me mekanizmin e të folurit dhe të të ushqyerit; me dhëmbët të cilët qëndrojnë porsi margaritarë të radhitur në gojë e që përreth janë mbështjellë me buzë në formën dhe me ngjyrën më të bukur dhe më të përshtatshme, pa eshtra, që të mundësohet për të pirë, për t’i hapur ato dhe për t’i mbyllur me pjesën e epërme të palëvizshme dhe me pjesën e poshtme të lëvizshme.
Dhe krijoi gabzherrë të ndryshëm që secili të karakterizohet me zëra të ndryshëm; dhe e zbukuroi kokën me flokë, fytyrën me vetulla, dhe mashkullin me mjekër.
Dhe dy duar me të cilat e armatosi njeriun që të punojë me to, duart i bëri me gishta, dhe në gishta vendosi thonj.
Dhe shiko se si dallohen eshtrat e pjesës së poshtme të trupit nga eshtrat e pjesës së epërme të tij sipas madhësisë dhe fortësisë, pasi janë ato që e mbajnë trupin.
Dhe shikoje qafën, mbajtësen e kokës e cila përbëhet nga shtatë unaza që ndërmjet vete përputhen në mënyrë precize në majë të shpinës, të përbëra nga njëzet e katër unaza, ku disa prej tyre janë për eshtrat e nënsqetullës, disa për eshtrat e dorës dhe në fund ato për gishtat.
Dhe shiko se si i ka mbështjellë eshtrat me mish, e secilën prej tyre në përputhshmëri me madhësinë, treqind e gjashtëdhjetë eshtra, dyqind e dyzet e tetë me nyje. Sikur të kishte ekzistuar ndonjë eshtër tepër, atëherë ajo do t’i shkaktonte njeriut vështirësi të cilën duhej t’a largonte; sikur të kishim pasur një eshtër mangët, atëherë do të duhej që të mjekohemi dhe t’a zëvendësonim atë. Ato i ndërlidhi me pesëqind e njëzet e nëntë damarë, sikurse kreshta, me gjatësi dhe trashësi të ndryshme, në përputhshmëri me nevojën. Njëzet e katër prej tyre janë vendosur përreth syrit, e nëse do të dëmtohej vetëm njëra prej tyre, atëherë do të bëhej i paaftë i tërë syri.
Ndër çudirat e krijimit të Tij janë edhe tre depo në kokë; një në pjesën e përparshme të kokës, një në pjesën e pasme dhe një në mes të saj, që janë përgjegjës për kujtesën dhe sjelljen.
Po ashtu, nga çudirat e krijimit të Tij janë edhe organet e brendshme (të njeriut), ku secili ka detyrën e vet të caktuar.
I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Në trup ekziston një pjesë mishi; nëse ajo është e shëndoshë, atëherë i tërë trupi do të jetë i shëndoshë, e nëse ajo pjesë prishet, atëherë do të prishet i tërë trupi. Ajo është zemra.” (Buhari, 52; Muslim, 1599)
Argumenti i katërt: Ai krijoi gjithçka, e më pas i udhëzoi
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “(Musai) Tha: "Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë!” (Ta-Ha, 50)
Ibn Kajjimi nga Mukattili, e ai nga ibën Abbasi dhe el-Kelbi, transmeton komentin e këtij ajeti: “Të gjitha krijesat i krijoi çift, dhe e udhëzoi mashkullin se si t’i afrohet femrës”.
Ibn Kajjmi rahimehullah vazhdon dhe thotë:
“Domethënia e këtij ajeti mund të jetë edhe më e gjerë, prandaj udhëzimi mund t’i dedikohet gjithë asaj që është në dobi të krijesave. Foshnja kërkon gjirin, dhe sapo të lindë e di se kush është nëna e saj, prandaj e ndjek atë ngado që të shkojë. Po ashtu, edhe kafsha e di se çfarë është e dobishme për të në livadh, ndërsa bleta e di si t’a gjejë rrugën drejt kosheres së saj sado larg që të jetë ajo. Bletët janë të ndara në grupe dhe çdo grup ka detyrën e vet të punës. Një grup bletësh e ruan amzën dhe nuk ndahet nga ajo, ndërsa grupi tjetër është përgjegjës për dyllin, grupi tjetër për përgatitjen e kosheres, grupi i katërt është përgjegjës për ujin, grupi i pestë për pastërtinë, e kështu me radhë. Së pari, në koshere ndërtohet vendqëndrimi i bletës amëz në formë katrore. Para fronit ndërtohet një koritë për mjaltë me të cilën ushqehet amza dhe rojet e saj. Pastaj ndërtohen qelitë gjashtëkëndëshe me brinjë të barabartë pa përdorur vizore. Pas kthimit në koshere, roja në derë i merr erë çdo bletë, e nëse ndien ndonjë aromë të pakëndshme, atëherë nuk e lejon atë, por e mënjanon anash dhe hap rrugën që të hyjnë bletët e tjera, e pastaj përsëri i kontrollon ato të cilave iu është ndaluar hyrja, e nëse gjen ndonjë mbeturinë të papastër tek ndonjëra prej tyre, atëherë do t’a përgjysmojë atë, e nëse krimi është më i lehtë, atëherë e lë jashtë kosheres. Bleta është njëra nga krijesat më të pastra, prandaj jashtëqitjen e saj nuk e lë në koshere, por e hedh atë gjatë fluturimit.”
Argumenti i pestë: Sistemi preciz kozmologjik
Ibn Kajjimi rahimehullah ka thënë: “Gjithësia (kozmosi) është si shtëpia me gjithçka që i nevojitet; qiejt janë si tavanet, ndërsa toka është si shtrojë; yjet janë zbukurim, ndërsa Dielli është ndriçues. E gjithë kjo të çon drejt njësisë së Krijuesit dhe diturisë së Tij, urtësisë së Tij dhe fuqisë së Tij. Mendoni vetëm sikur të mos ndryshoheshin dita dhe nata, e në atë rast njerëzit nuk do të dinin për pushim dhe gjithçka në sipërfaqen e Tokës do të digjej nga të nxehtit dhe nga dielli i vazhdueshëm. Sikur dielli të mos e ndryshonte këndin e tij, atëherë nuk do të ekzistonin stinët e vitit, e sikur të ishte i palëvizshëm atëherë rrezet e tij nuk do të arrinin në shumë vende të Tokës ku vazhdimisht do të kishte hije. Sikur të mos ekzistonin fazat e Hënës, atëherë njerëzit nuk do të dinin se kur është fillimi dhe mbarimi i muajve të vitit, kur do të ishte fillimi i muajit të haxhit dhe në cilin muaj do të ishte muaji i Ramazanit, si dhe nuk do të dinim se sa i vjetër është një njeri. Sikur të mos ekzistonte Hëna dhe yjet, nata do të ishte shumë e errët dhe nuk do të mundeshim as të udhëtonim e as të punonim.
Po ashtu shikojeni zjarrin se si është krijuar brenda materies; e përdorim atëherë kur na duhet, e më pas e shuajmë atë. Po qe se do të ishte i përhapur si ajri ose uji, në atë rast do ta digjte Tokën dhe gjithçka që ekziston në të. Vetëm njeriu e përdorë atë, ndërsa kafshët nuk e shfrytëzojnë, por Krijuesi atyre u dhuroi lëkurën e trashë për t’i mbrojtur nga të ftohtit, ndërsa ushqimi i tyre nuk kërkon të zihet, e as bukë.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “E keni parë zjarrin që ndizni? Ju e krijuat drurin e tij, apo Ne jemi krijues? Ne e bëmë atë si përkujtim (për zjarrin e Xhehenemit) dhe të nevojshëm për ata në vende të pabanuara (në shkretëtirë)”. (el-Vakia, 71-73)
Dhe shikoje flladin i cili i ringjall gjërat pas vapës dhe erën e cila i dëbon retë prej një vendi në një vend tjetër dhe i tubon, e më pas vjen shiu; i mbartë atje ku iu nevojitet njerëzve dhe kafshëve, e pastaj vjen era e nxehtë që e than barin që të mos gërshetohet.”
Argumenti i gjashtë: Betimi i Allahut
Ibn Kajjimi rahimehullah ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar betohet me Veten dhe me atributet e Tij, si dhe me argumentet të cilat tregojnë për Atë. Po ashtu, Ai betohet me bazat e fesë dhe me Njësinë e Tij, me faktin se Kur’ani është i vërtetë, se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, është i vërtetë, si dhe me shpërblimin dhe dënimin, dhe me gjendjen e njeriut.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Ja, Sin! Pasha Kur'anin e pacenueshëm në urtësinë e tij të lartë. S'ka dyshim se ti (Muhamed) je prej të dërguarve. Je në rrugën e drejtë”. (Ja-Sin, 1-4)
Ibn Kajjim El Xheuzije
Post a Comment