Dispozita e atij i cili gjykon me ligj tjetër pos Sheriatit Islam

Ai, Allahu e mëshiroftë, thotë:

“Është e pamundur që Allahu Te’ala ta quan gjykatësin i cili gjykon me ligje tjera pos atij të cilin e zbriti Allahu për kafir, e ai të mos jetë kafir.
Ai është kafir në mënyrë absolute, ose në kufër të veprës ose në kufër të besimit.

Ajo që erdhi nga Ibn Abbasi, radij’Allahu anhu, për komentimin e këtij ajeti (Maide, 44) nga transmetimi i Tauist dhe të tjerëve, aludon për ate se gjykatësi që gjykon me ligj tjetër pos asaj që zbriti Allahu është kafir, ose në kufër të besimit i cili të nxjerr nga feja, ose në kufër të veprës, i cili nuk e nxjerr prej fesë. Sa i përket të parës, pra kufrit të besimit, ai është në disa lloje:

E para: Nëse gjykatësi  i cili gjykon me ligj tjetër pos asaj që zbriti Allahu, mohon ligjin e Allahut dhe të Dërguarit. Ky është kuptimi i cili u transmetua nga Ibn Abbasi, këtë mendim e zgjodhi Ibn Xheriri, pra mohimi i asaj që Allahu zbriti prej dispozitës së sheriatit. Për këtë nuk ka polemikë mes dijetarëve, ngase prej bazave për të cilat ka pajtim tek dijetarët është se kush mohon një bazë prej bazave të fesë apo një degë për të cilën ka ixhma, apo mohon një shkronjë prej asaj me të cilën erdhi i Dërguari në mënyrë të prerë, ai është kafir me kufër i cili e nxjerr nga feja.

E dyta: Nëse ky i cili gjykon me ligj tjetër pos ligjit të Allahut, nuk e mohon se kjo është dispozita e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, mirëpo beson se dispozita e dikujt tjetër pos Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem, është më e mirë se dispozita e Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem, nëse mendon se është më i plotë dhe më përmbushësh i nevojave të njerëzve gjatë mosmarrëveshjeve. Nëse kështu mendon në mënyrë absolute për ligjin e Allahut, apo edhe nëse në veçanti mendon për çështje të reja të cilat janë si  rezultat i kohës dhe ndryshimit të gjendjes, edhe kjo s’ka dyshim se është kufër (që të nxjerë nga feja), ngase mbivlerëson ligjet e krijesave të cilat janë thjeshtë mbeturina të mendjes së tyre, të cilave u jep përparësi para ligjit të Ngadhënjyesit, të Urtit.

E treta: Nëse nuk mendon dhe beson se ligji i tjerëve është më i mirë se ligji i Allahut dhe të Dërguarit, mirëpo beson se është i njëjtë. Kjo është njëlloj sikur dy rastet e mëparshme. Pra, edhe kjo të nxjerrë nga feja, ngase është barazim i Krijuesit me krijesën. Kjo është e kundërt dhe kryeneçësi ndaj fjalës së Allahut:

“Ai është krijues i qiejve e i tokës. Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte, edhe nga kafshët krijoi çifte, ashtu që t’ju shumojë. Asnjë send nuk është si Ai; Ai është dëgjuesi, shikuesi.” (Shura, 11)

E katërta: Nëse nuk beson se ligji i të tjerëve është i barabartë me ligjin e Allahut dhe të Dërguarit, e ku më të beson se është më i mirë se ai, mirëpo beson se lejohet të gjykohet me ligje të cilat kundërshtojnë ligjin e Allahut dhe të Dërguarit. Edhe ky është sikur ai më parë, ajo që u tha për të parin, mund të thuhet edhe për këtë. Ngase, beson se lejohet diç e cila është e njohur se ndalohet në mënyrë të prerë sipas teksteve të qarta dhe të vërteta.

E pesta: Kjo është më e keqja, më përfshirëse dhe më kryeneçja ndaj sheriatit. Më kryelarta e cila i kundërvihet Allahut dhe të Dërguarit. Ku hapen paralelisht gjykata të ligjeve tjera sikur gjykatat Islame. Ku ky ligj mësohet sipas bazave dhe degëve, ndahet në lëmi të llojllojshme, me të cilin ligj i sundojnë njerëzit dhe i obligojnë t’i nënshtrohen atij.

Ashtu siç sheriati Islam kthehet tek libri i Allahut dhe Sunneti i Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem, edhe këta kthehen në kanune të përbëra nga ligje të ndryshme, prej kanuneve të ndryshme. Siç është kanuni i Francës, i Amerikës, Britanisë, etj. Ku marrin edhe disa prej grupimeve të cilat përkatësohen në sheriat, etj.

Këto gjykata, tani janë në shumë prej vendeve Islame, i kanë përgatitur dhe i kanë hapur dyert. Njerëzit shkojnë një pas një, gjykatësit në to gjykojnë me ligje të cilat janë të kundërta me Kur’an dhe Sunnet.

Ata i obligojnë njerëzit t’i praktikojnë këto kanune në mënyrë të prerë. Andaj, cili kufër është mbi këtë kufër? Çfarë kundërshtimi i dëshmisë “Muhamedun Resulullah”, a ka ndonjë kundërshtim më të madh se kjo?

E gjashta: Ajo me të cilën gjykojnë shumë prej kryetarëve të fiseve dhe kabileve nomade. Të cilët gjykojnë nga ajo që u është treguar nga ngjarjet e stërgjyshërve të tyre. Ata bazohen në adetet e tyre të cilat i trashëgojnë dhe gjykojnë përmes tyre. Ata nxisin për t’u arbitruar me ato gjatë mosmarrëveshjeve, duke i lënë që në mesin e tyre të mbesin dispozitat e xhahilijetit dhe duke u shmangur nga ligji i Allahut dhe të Dërguarit, la haule uela kuvete ilah bilah.

Sa i përket llojit të dytë prej dispozitës së gjykatësve të cilët nuk gjykojnë me atë që zbriti Allahu, kjo është ajo e cila nuk të nxjerr nga feja, siç përmendëm tefsirin e Ibn Abbasit të fjalës së Allahut: “E kush nuk gjykon me atë që e zbriti Allahu, ata janë mohues” (Maide, 44), kjo është fjala e tij “kufër më i vogël se kufri i madh”. Apo fjala e tij: “Nuk është kufër të cilin e mendoni ju”. Ky rast është kur gjatë gjykimit ndikohet nga epshi i tij për të gjykuar me diç tjetër pos asaj që zbriti Allahu, duke mbetur besimi i tij se gjykimi i Allahut dhe të Dërguarit janë të vërtetë.

Ai e pranon se e ka gabim dhe është jashtë udhëzimit. Mirëpo, kjo edhe pse nuk e nxjerr nga feja, mëkati i tij është më i madh se mëkatet e mëdha”.

Shih: Tahkimul kauanin 5-8, më detalisht “Hukmu bi gajri ma enzelallah”, “Innallahe huel hakemu”, “Sheriatul ilahije”, “Neuakidul iman bauhije vel amelije”.

Përgatiti: Teuhid.NET



Muhamed ibn Ibrahim Ali-Shejh