Devijimi i fraksioneve në çështjen e teuhidit

Ibn Kajjimi rahimehullah duke shpjeguar qëndrimet e fraksioneve të ndryshme të cilët besimin e tyre e mbështesin në devijim dhe atë besim e quajnë monoteizëm, thotë: “Ithtarët e Aristotelit, ibën Sinasë dhe të en-Nesih et-Tusit esencën e teuhidit e mbështesin në:
- mohimin e qenies së Allahut,
- në pohimin se gjithësia nuk ka fillim,
- se Allahu i Lartmadhëruar nuk do t’i ringjallë të vdekurit nga varret e tyre,
- se Profetësia mund të trashëgohet dhe se ajo është një gjë që mësohet (zeje),
- se Allahu nuk e di numrin e yjeve dhe se Ai assesi nuk ka dituri për krijesat,
- se nuk ekziston e lejuara, as e ndaluara, as urdhri, e as ndalesa,
- se nuk ekzistojnë Xheneti dhe Xhehenemi.
Kjo është esenca e teuhidit të tyre, që në vete përmbajnë shirk (politeizëm, idhujtari) dhe kufër (mosbesim).
1. Ittihadije (panteistët)
Ky grup, me Njëshmërinë e Zotit nënkupton se gjithçka është e krijuar, prandaj edhe vetë Allahu, dhe se emrat e të gjitha sendeve që janë krijuar nuk janë asgjë përveçse emra, e jo esencë, për të cilat ibën Seb’ini ka thënë se është fshehtësi që nga kohët e para dhe esencë e të gjitha shpalljeve.
Prandaj për të, Faraoni dhe populli i tij kanë qenë besimtarë me besim të plotë, me njohje të plotë ndaj Allahut dhe e menduan se është e logjikshme dhe korrekte që të adhurohen idhujt, sepse Faraoni është zot dhe idhujt janë zota.
Nuk ka dallim ndërmjet marrëdhënieve intime me gruan që është e lejuar dhe me atë që nuk është e lejuar, e nuk ekziston dallim ndërmjet ujit dhe verës, e as ndërmjet prostitucionit dhe kurorëzimit, dhe se vetëm ata që nuk kanë njohuri për këtë sekret pohojnë: “Kjo është haram (e ndaluar), e kjo është hallall (e lejuar)”. Me të vërtetë për ta është haram (e ndaluar) sepse nuk kanë njohuri dhe nuk dinë për teuhidin (monoteizmin) e vërtetë Islam.
2. Xhehmije
Ky fraksion i devijuar e ndërton teuhidin (monoteizmin Islam) sipas themeleve që vijojnë:
- mohim të ngritjes së Allahut të Lartmadhëruar me qenien e Tij mbi robët e Tij,
- mohimi se Allahu i Lartmadhëruar është ngritur mbi Arsh (Fron),
- mohimi se Allahu sheh dhe dëgjon, si dhe mohimi i fuqisë dhe forcës së Tij,
- mohimi i të gjitha atributeve dhe veprave të Tij.
Me një fjalë, teuhidi për këtë grup paraqet një hiperbolizim me të cilin Allahu i Lartmadhëruar i dërgoi Profetët e Tij dhe përmes së cilëve erdhi Shpallja.”
Në të njëjtën rrugë ecën edhe mu’tezilët. Ata teuhidin e mbështesin në refuzimin e atributeve të Allahut dhe të përsosmërisë së Tij.
3. Kaderitë
Kaderitë janë ai grup të cilët teuhidin (monoteizmin Islam) e kuptojnë dhe e definojnë në atë mënyrë ku refuzojnë caktimin e Allahut (kaderin), emrat e bukur të Tij dhe atributet e përsosura të Allahut. Madje ata mohimin e kaderit e quajtën “mosbesim në caktimin dhe në dëshirën e Allahut dhe për veten e tyre pohojnë: “Ne jemi përfaqësuesit e drejtësisë dhe të teuhidit (monoteizmit) të vërtetë”.
4. Xhebrijje
Ky grup teuhidin (monoteizmin Islam) e mbështet në këtë që vijon: Ata mendojnë se janë të detyruar në kryerjen e veprave të tyre dhe se veprat e tyre ndodhin jashtë fuqisë së tyre. Ata mendojnë gjithashtu se lëvizës kryesor i veprave të tyre është dikush tjetër, e jo ata vetë. Xhebritë janë edhe më të rrezikshëm se ata të cilët e mohojnë plotësisht ekzistimin e kaderit (caktimit nga Allahu).
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë

Post a Comment