Muslimani a arsyetohet me injorancë në çështjet e fikhut, në çështjet e akides dhe teuhidit?

Muslimani a arsyetohet me injorancë në çështjet e fikhut, në çështjet e akides dhe teuhidit? - Fetva nga Shejkh Abdul Aziz Bin Bazi (All-llahu e mėshiroftė)

Pyetje: vëllai Salih Bin Jusuf nga Tunisi, si dhe vëllai Muhamed Bin Abdullah nga Kajro pyesin: kush janë ata të cilët arsyetohen me injorancë? Njeriu a arsyetohet me injorancë në çështjet e fikhut dhe në çështjet e akides dhe teuhidit? Çfarë është Obligimi i dijetarëve ndaj kësaj çështje?
Përgjigje: pretendimi i injorancës dhe arsyetimi me të, duhet të tregohet më detajisht. Nuk arsyetohet çdo njëri me injorancë. Është fjala për ato çështje me të cilat Islami erdhi edhe i dërguari ua sqaroi njerëzve. Këto u sqaruan në Librin e Allahut, u përhapën në mesin e muslimanëve. Prandaj pretendimi i injorancës nuk pranohet. Posaçërisht ajo që ka të bëj me baza të fesë dhe akide. Allahu i Lartësuar e ka dërguar të Dërguarin e Tij që tua sqaron njerëzve fenë. Ai e përcjelli fenë në mënyrë të qartë. Umetit ia shpjegoi realitetin e fesë. Ai i la në një rrugë të bardhë, nata e së cilës është sikur dita. Në librin e Allahut është udhëzimi dhe drita. Nëse disa njerëz pretendojnë injorancë në atë që është e njohur patjetër nga feja, ndërsa kjo është përhapur në mesin e muslimanëve, kjo nuk pranohet. Siç është pretendimi për injorancë ndaj shirkut dhe adhurimit të dikujt tjetër pos Allahut, pretendimi se namazi nuk është i obligueshëm, agjërimi nuk është obligim, zekati apo haxhxhi duke pasur mundësi. Të gjitha këto nuk pranohen ngase kjo është çështje e njohur në mesin e muslimanëve. Janë të njohura si detyrime nga feja Islame. Janë përhapur tek muslimanët prandaj nuk pranohet pretendimi me injorancë. Po ashtu edhe nëse thotë se ai nuk e di çfarë bëjnë mushrikët tek varret, apo tek idhujt gjatë lutjeve ndaj të vdekurve, ku kërkojnë ndihmë prej tyre, u therin atyre, zotohen para tyre, therin për idhujt, yjet, drunjtë, gurët, kërkojnë shërim, kërkojnë ndihmë prej tyre kundër armiqve, prej të vdekurve, idhujve, xhinëve, melekëve dhe Pejgambereve. Të gjitha këto pune janë të njohura në fe patjetër. Kjo është shirk i madh, Allahu teala e ka shpjeguar këtë në librin e tij, po ashtu edhe i Dërguari i tij. Ai qëndroi në Mekke trembëdhjetë vite, duke i alarmuar njerëzit nga shirku. Po ashtu në Medine dhjetë vite. Ai u shpjegoi obligimin e sinqeritetit në adhurim ndaj Allahut një. Atyre ua lexoi Librin e Allahut.

” Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).” (El Isra 23),

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ty kërkojmë ndihmë! (El Fatiha 5),
“Ne ta shpallëm ty librin për hir të së vërtetës, andaj ti adhuroje Allahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!, Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për Allahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut, s’ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është rrenës, jobesimtar.”
(Ez Zumer2,3),

Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve., Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!( El En’am 162,163).
Allahu i Lartësuar duke iu drejtuar Pejgamberit,sal’Allahu alejhi ue selem, thotë: “Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira, Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” (El Keuther 1,2),
“Dhe (mua më shpallet) se vërtet xhamitë janë veçantë për ta adhuruar Allahun, e mos adhuroni në to askënd tjetër me Allahun!” (El Xhinn 18) dhe
“E kush adhuron me Allahun edhe ndonjë zot tjetër, për të cilin nuk ka kurrfarë fakti, përgjegjësia e tij është para Zotit të vet, e mohuesit nuk do të shpëtojnë.” (El Mu’minun 117).

Njashtu edhe tallja me fe, akuzimi i fesë loja me të dhe fyerja e saj të gjitha janë prej kufrit të madh. Ai i cili i vepron këto nuk arsyetohet. Ngase është e njohur nga feja patjetër se fyerja e fesë apo të Dërguarin,sal’Allahu alejhi ue selem, është prej kufrit të madh. Njashtu tallja dhe hajgareja. “E nëse i pyet ti ata (përse tallen), do të thonë: “Ne vetëm jemi mahnitur e dëfruar”. Thuaj: “A me Allahun, librin dhe të dërguarin e Tij talleni?”, Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasi që (shpallët se) besuat, keni mohuar. Nëse një grupi nga ju i falim, grupin tjetër e dënojmë, ngase ishin kriminelë.” (Et Teubeh 65,66). Obligimi i dijetarëve është që këtë ta përhapin në mesin e njerëzve që njerëzit e thjeshtë mos të kenë arsye. Që kjo çështje e madhe të përhapet në mesin e tyre. Që të shmangen nga lidhja me të vdekurit, duke kërkuar prej tyre ndihmë, në çdo vend, në Egjipt, Sham, Irak, apo Medine tek varri i Pejgamberit,sal’Allahu alejhi ue selem, apo në Mekke apo vende tjera. Tu tërhiqet vërejtja haxhilerëve, të kuptojnë njerëzit fenë e Allahut dhe ligjin e Tij. Ngase heshtja e dijetarëve është prej shkaqeve të shkatërrimit të njerëzve të thjeshtë dhe injorancës së tyre. Dijetarët kudo që të jenë e kanë obligim tu përcjellin njerëzve fenë e Allahut. Tua mësojnë njerëzve njësimin e Allahut, llojet e shirkut ndaj Allahut, që njerëzit ta braktisin shirkun nga dituria. Që ta adhurojnë Allahun me dituri. Ta kuptojnë ajo çfarë ndodh te varri i Bedevijut apo Husejnit ra, apo tek varri i Shejh Abdul Kader Xhejlanit, apo tek varri i Pejgamberit,sal’Allahu alejhi ue selem, në Medine, etj. Kjo duhet njerëzve tu mësohet dhe se adhurimi është e drejtë e Allahut një. Asnjëri nuk ka të drejtë në të. Siç tha i Lartësuari: ”E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.” (El Bejjineh 5).
Dhe tha “Ne ta shpallëm ty librin për hir të së vërtetës, andaj ti adhuroje Allahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!, Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për Allahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut, s’ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është rrenës, jobesimtar.” (Ez Zumer 2,3),
dhe fjala e Tij: ” Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).” (El Isra 23). Dijetarët në të gjitha tokat Islame dhe në vendet ku muslimanët janë pakicë dhe në çdo vend, duhet që njerëzve tua mësojnë teuhidin e Allahut. Ti alarmojnë nga shirku ndaj Allahut, tu tregojnë se është mëkati më i madh, se Allahu i krijoi xhinnët dhe njerëzit vetëm për ta adhuruar Atë, ai i urdhëroi me këtë kur tha: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Edh Dharijat 56), me adhurimin e Tij dhe respektimin e Tij dhe të Dërguarit. Duke qenë të sinqertë në adhurim dhe duke i drejtuar zemrat ka Ai, “O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar).
(El Bekare 21).
Sa i përket meseleve të pa njohura ata janë: çështjet e mardhënieve të ndërsjella mes njerëzve disa çështje të namazit, të agjërimit, në këto mesele injoranti arsyetohet. Pejgamberi,sal’Allahu alejhi ue selem, e arsyetoi atë me të cilën injoranti arsyetohet. Pejgamberi,sal’Allahu alejhi ue selem, e arsyetoi atë i cili hyri në ihram me xhybe dhe u parfymos. Pejgamberi,sal’Allahu alejhi ue selem, i tha: “largoje nga trupi xhyben, pastrohu nga era e parfumit, vepro në umren tënde ashtu siç veprove në haxhxhin tënd”. Ai, sal’Allahu alejhi ue selem, nuk e urdhëroi të therë kurban, ngase ishte injorant. Pra kështu veprohet edhe në disa mesele tjera të panjohura, ku injoranti duhet të mësohet. Mirëpo në çështjet bazë dhe baza të akides, në shtylla të Islamit, për ndalesat e qarta, arsyetimi me injorancë nuk pranohet nga asnjëri. Nëse ndonjëri duke qenë në mesin e muslimanëve thotë: “unë nuk e di se zinaja është haram”. Ky person nuk arsyetohet, ndaj atij realizohet dënimi për zinanë. Apo nëse thotë: ”nuk e di se pirja e alkoolit është haram”, duke jetuar në mesin e muslimanëve. Ky person nuk arsyetohet, apo nëse thotë: nuk e di se mosrespektimi është haram. Ky nuk arsyetohet, ai edukohet me rrahje. Apo nëse thotë: “nuk e di se homoseksualizmi është haram”. Ky njashtu nuk arsyetohet ngase këto çështje janë të dukshme dhe të qarta tek muslimanët dhe në Islam.
Mirëpo nëse këto çështje janë në disa vende larg Islamit, apo në vendet e pashkelura të Afrikës ku nuk ka për rreth tyre mysliman, Pprej këtyre mund të pranohet pretendimi i injorancës. Nëse vdes në këtë, çështja e tij është tek Allahu. Dispozita e tij është sikur e banorëve të fetres. E vërteta është se ata do të sprovohen Ditën e Kijametit. Nëse përgjigjen dhe respektojnë do të hyjnë në xhenet, nëse kundërshtojnë do të hyjnë në zjarr. Sa i përket atij i cili është në mesin e muslimanëve i cili vepron llojet e kufrit ndaj Allahut, nëse len obligimet e njohura. Ky person nuk arsyetohet ngase çështja është e qartë. Muslimanët janë të gjallë, falen, falënderimi i takon Allahut, ata agjërojnë, bëjnë haxhxh, e dinë se binaja është haram, alkooli haram, mosrespektimi i prindërve haram. E gjithë kjo është e njohur tek muslimanët, e përhapur në mesin e tyre. Prandaj pretendimi i injorancës është i kotë.
“Fetva ve Teubihat” (f 239-249)
“Fetava” Shejh Bin Baz (f 572/2)
Përktheu: Hoxhë Rexhep Memishi