Rregulli i ngritjes së argumentit dhe mënyra e ngritjes së tij

Ngritja e argumentit bëhet përmes arritjes së tij nga Kur’ani dhe Sunneti, në mënyrë që personi i obliguar po të dëshirojë e kupton. Kjo është në meseletë e shirkut të qartë. Nëse kjo i arrin nga Kur’ani dhe Sunneti, atij i është ngritur argumenti dhe nuk është kusht që kjo të bëhet prej ndonjë dijetari. Ngritjen e argumentit mund ta bën çdonjëri i cili e din ate, pra kjo është edhe qëllimi i shejhul Islamit për ngritjen e argumentit. Këtë e përmend edhe Muhamed b. AbdulVehabi, Hamed b. Nasir b. Ma’mer, shejh AbdulLatif b. AbduRrahman b. Hasen, shejh Sulejman b. Suhmani, shejh Is’hak b. AbduRrahmani. Prej bashkëkohorëve, shejh Abdulaziz b. Bazi dhe shejh Muhamed b. Ibrahim, Allahu i mëshiroftë!
Pas verifikimit të këtij rregulli kuptojmë gabimin e disave të cilët studiuan këtë çështje.
Kanë thënë: “Nuk duhet të vërtetojmë për qëllimin e kundërshtimit gjatë mëkatit dhe dënimit, mundet që vetëm ngritja e argumentit të mos mjaftojë për largimin e dyshimit. Ai i cili ka dyshim, mund të ketë interpretim të keq për çdo dyshim, kështu që nuk synon përgënjeshtrimin e Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem, e as kthimin e sheriatit të tij. Ai mendon se ky është kuptimi i argumentit. Lloji i këtij është i arsyetuar për shkak te’vilit (interpretimit të gabuar). Pas gjithë kësaj, si mund të themi se mjafton arritja e argumentit vetëm për t’iu ngritur argumenti njeriut konkret, si mund të mos arsyetohet nëse ai ka dyshim. Arsyetimi i tij me dyshim edhe nëse i arrin argumenti, nëse ka te’vil, kur e dimë se nuk është përgënjeshtrues dhe nuk e konsideron të lejuar këtë, është metodë e selefit dhe imamëve prej tyre.”[1]
Po ashtu fjala e tij: “Sipas kësaj, për ngritjen e argumentit nuk mjafton vetëm arritja e tij, por argumenti duhet të kuptohet. Përndryshe njeriu konkret do të goditet me një dyshim të vlefshëm që e pengon nga besimi i atij argumenti. Kështu ai arsyetohet nëse ka te’vil dhe nuk ka dallim mes dyshimit në fjalët e qarta të kufrit dhe ato të tjerat. Dyshim nuk ka tek ata të cilët janë rritur në vende të largëta dhe ai i cili është i ri në Islam...kjo është metoda e ehli Sunnetit të cilët janë njerëzit më të dijshëm dhe më të mëshirshëm ndaj tyre. Mos tekfiri i atij i cili ka dyshim me te’vil, qoftë ky te’vil edhe kufër, pengohet me atë se ai i cili e bën këtë vepër, vetëm se është cilësuar si musliman me bindje. Prandaj, cilësimi i tij me kufër është i paqëlluar dhe pa argument.”[2]
Fjalët e këtij autori përmbajnë disa gabime, të cilat do t’i shqyrtojmë si vijon:
1. Mohimi i tij se ngritja e argumentit bëhet me vet arritjen e tij dhe kushtëzimi i kuptimit të tij, është në kundërshtim me atë që u përmend nga dijetarët, ku tha: “Sipas kësaj nuk mjafton arritja e argumentit për t’u ngritur ai, ai duhet të kuptohet patjetër”. Për këtë përmendëm demantin e dijetarëve rreth këtij dyshimi se kuptimi i argumentit nuk është kusht për ngritjen e tij.
2. Ai nuk përmendi asnjë argument, apo fjalë të ndonjë dijetari të shquar i cili e konsideron kusht kuptimin e argumentit. Ai edhe u mundua të demantojë argumentet me të cilat u argumentuan dijetarët e Nexhdit se kuptimi nuk është kusht për ngritjen e argumentit.
Ai tha: “Ata të cilët e thonë këtë mendim bazohen në atë se Allahu gjykoi me kufër ata të cilët i cilësoi se nuk kuptojnë, nuk dinë dhe se mendojnë se janë duke vepruar mirë”, dhe pastaj përmendi ajetet me të cilat u argumentuan dijetarët e thirrjes së teuhidit në Nexhd. Ai përmendi se kuptimi është kusht për ngritjen e argumentit, jashtë kuptimit të udhëzimit.[3]
3. Arsyetoi me dyshim dhe te’vil në meseletë e shirkut dhe të tjerat. Duke mos bërë dallim mes meseleve të qarta dhe atyre të panjohura. Ai nuk bën dallim mes atij që jetoi në vende të largëta dhe atij  që është i ri në Islam dhe të tjerëve.
Sa i përket mos dallimit në mesele të qarta të kufrit dhe atyre të panjohura dhe përgjithësimi i arsyetimit me injorancë, me dyshim dhe te’vil, këto duhet të tregohen në mënyrë më të detajuar. Ngase dijetarët bëjnë dallim mes meseleve të qarta të kufrit dhe atyre të panjohura gjatë arsyetimit me injorancë dhe te’vil. Po ashtu ata bëjnë dallim në mënyrën e ngritjes së argumentit sa i përket meseleve të qarta dhe atyre të panjohura. Në meseletë e qarta kjo bëhet me vet arritjen e argumentit, ndërsa në meseletë e panjohura bëhet duke ia larguar dyshimet dhe kundërthëniet. Po ashtu, ata bëjnë dallim mes atij i cili është i ri në Islam, dhe atij që është edukuar në vende të largëta nga dituria, siç përmendën dijetarët.
Prej kësaj kuptojmë se përgjithësimi në këto mesele është i gabuar.[4]
4. Sa i përket meselesë së arsyetimit me dyshim dhe te’vil në meseletë e shirkut të madh dhe kushti i largimit të dyshimeve për t’u gjykuar me kufër mbi njeriun konkret, kjo kërkon një studim të veçantë, prandaj do të përmendim diç që është më e përshtatshme në këtë vend. Ai përmendi arsyetimin me dyshim dhe te’vil edhe atëherë kur i arrin argumenti. Sipas tij nuk ka dallim mes meseleve të panjohura dhe të qarta, dhe se kjo është mendimi i ehli Sunnetit edhe pse nuk transmetoi asnjë mendim nga ehli Sunneti. Prandaj me lejen e Allahut do të përmendim prej fjalëve të dijetarëve për këtë mesele edhe pse siç thamë, kjo mesele duhet të studiohet me një libër të veçantë.
Fjalët e dijetarëve të thirrjes së teuhidit në Nexhd rreth mos konsiderimit të dyshimit, te’vilit dhe gabimit në mesele të shirkut të madh
1. Shejh Ebu Betin Nexhdij, myfti i Nexhdit në kohën e tij, ka thënë: “Dijetarët nga çdo medh’heb përmendën gjëra të shumta prej fjalëve, veprave dhe besimeve, të cilat nuk mund të numërohen. Dhe ai i cili i posedon këto bën kufër. Këtë nuk e përkufizuan me atë i cili është inatçi. Prandaj, ai që pretendon se vepruesi i kufrit me te’vil, ixhtihad, gabimisht me pasim qorrazi apo nga injoranca se është i arsyetuar,  është në kundërshtim me Kur’anin, Sunnetin dhe ixhmanë, padyshim”.[5]   
2. Ebu Betini, duke treguar se Ibn Tejmije nuk arsyeton me injorancë dhe te’vil në mesele të shirkut të madh, thotë: “Ai, Allahu e mëshiroftë, në disa vende në mënyrë të prerë përmendi kufrin e atyre që vepruan shirk, përmendi ixhmanë e muslimanëve rreth kësaj dhe nuk e përjashtoi nga kjo injorantin dhe të tjerët. Allahu, te’Ala, tha: “Është e vërtetë se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron. Ai që i përshkruan shok Allahut, ai ka humbur dhe bërë  një largim të madh (prej të vërtetës).” (En-Nisa, 116). Për Mesihun tha: “Bënë kufër (mohuan të vërtetën) ata që thanë: “Allah është ai, Mesihu, biri i Merjemes”. E vetë Mesihu, (Isai), tha: “O beni israilë, adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse ai që i përshkruan Zotit shok, Allahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij Xhennetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.” (Maide, 72). Kush e veçon këtë kërcënim vetëm për inatçiun dhe i përjashton nga ky kuptim injorantin, atë që vepron me te’vil dhe mukalidin, vetëm se e ka kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin, dhe ka dalë jashtë rrugës së besimtarëve. Kaptinën e murteddit fukahatë e fillojnë me shirkun dhe nuk e përkufizojnë me inatçiun”.[6]
3. Shejh AbduRrahman b. Hasen duke sqaruar mos arsyetimin me gabim, dyshim dhe te’vil në meseletë e shirkut, thotë: “Çdo kafir ka gabuar, edhe mushrikët patjetër kanë bërë te’vil. Ata besojnë se shirku i tyre me njerëz të mirë është madhërim që u sjell dobi dhe i mbrojnë ata. Andaj nuk arsyetohen me këtë gabim, e as me atë te’vil”.[7]
4. Shejh AbduLatif b. AbduRrahman b. Hasen, gjatë demantit kundër Daud Xherxhisit për çështjen e arsyetimit me dyshim në meseletë e shirkut, i cili këtë mendim e përkatësoi tek Ibn Tejmije, thotë: “Nuk ka në fjalët e shejhul Islamit diç që aludon për arsyetim me çdo lloj dyshim. Ai nuk arsyeton nëtë gjitha llojet e dyshimit, kjo nuk është në fjalët e tij. Nuk e kupton fjalën e tij në këtë mënyrë vetëm një i cili nuk është marrë aspak me dituri. Shprehja e Ibn Tejmijes është e qartë dhe në kundërshtim me këtë kuptim”.[8]
5. Ai po ashtu tha: “Sa i përket meselesë së adhurimit të varrezave dhe lutjes së atyre pos Allahut, kjo mesele është çështje e pajtimit tek të gjithë se është e ndaluar, sipas ixhmasë, prandaj nuk ka aspak paqartësi në fjalët e shejhut”.[9]
6. Shejh AbduLatifi, rahimehullah, ka thënë: “kur Irakiu i përjashton havarixhët nga arsyetimi me dyshim dhe i futë nën arsyetim adhuruesit e varrezave, veçse e pason epshin e tij në këtë mesele dhe të tjerat”.[10]
7. Ai, gjithashtu ka thënë: “Shejhu (Ibn Tejmije) nuk ka folur për synimet e Irakiut rreth meseleve të besimit të cilat detyrimisht njihen në fe. Ai i ka për qëllim dyshimet për meseletë të cilat janë të panjohura”.[11]
Prej kësaj që përmendëm nga fjalët e dijetarëve të thirrjes së teuhidit, kuptojmë se në meseletë e shirkut të madh dhe të qartë, nuk ka arsye me dyshim, te’vil dhe gabim. Dhe arsyetimi në këto çështje do të thotë se nuk shpallet kafir vetëm se inatçiu. Ndërsa kjo është e pavërtetë. Kjo është e qartë edhe në fjalët e Ibn Tejmijes se ai nuk arsyeton me dyshim dhe te’vil në meseletë e qarta përpos në ato të panjohurat, në të cilat arsyeton.
Prej kësaj kuptojmë edhe gabimin e atij i cili përkatësohet me Ibn Tejmijen në atë se: “kusht për ngritjen e argumentit është që t’i sqarohet në mënyrë të plotë derisa të shihet inati kundër Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem ”.[12]
Autori i kësaj fjale solli disa tekste nga Ibn Tejmije të cilat nuk aludojnë për atë. Siç do t’i sjellim  në një kaptinë të veçantë dhe do t’i shqyrtojmë me ndihmën e Allahut.
Fjala e tij “derisa të shihet inati i tij kundër Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem”, është përkufizim i tekfirit vetëm tek inatçiu. Ndërsa kjo është e kotë dhe e pavërtetë, siç përmendëm fjalët e dijetarëve.
-Çështja e dytë-
Dallimi mes ngritjes së argumentit dhe kuptimit të tij. Për ngritjen e argumentit nuk është kusht kuptimi i tij. Nëse ka arritur në mënyrë që po të dëshirojë mund ta kuptojë.
Është kusht që të transmetohet në mënyrë që mund ta mësojë. Pra, nëse ai të cilit i arrin argumenti është i mençur, i dallon gjërat dhe kupton atë që dëgjon, siç u përmend në tekstet e dijetarëve rreth kësaj çështje.
-Çështja e tretë-
Dyshimi, te’vili dhe gabimi, nuk konsiderohen arsye në mesele të shirkut të madh, ngase argumentet për të janë të dukshme. Në këto mesele kthehemi në fjalët e Ibn Tejmijes siç e përmendën këtë dijetarët e Nexhdit.
-Çështja e katërt-
Mendimi se kuptimi i argumenteve është kusht për tekfirin konkret të njerëzve dhe se nuk shpallet kafir vetëm se inatçiu ndaj argumenteve. Po ashtu arsyetimi me dyshim, te’vil dhe gabim në meseletë e shirkut të madh. Ky është një dyshim i vjetër me të cilin u ballafaquan dijetarët e thirrjes së teuhidit në Nexhd kundër Daud Xherxhisit dhe të tjerëve. Këtë dyshim e thanë edhe disa nga bashkëkohorët.
Përktheu: Rexhep MEMISHI
Libri është i botuar në shqip me titullin: "Të nxituarit në tekfir".

Post a Comment